Mexhit Kokalari
Kush është Mexhit Kokalari
Mexhit Kokalari, profesor i Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit në vitet
1947-1952, është autori i materialit që ”Panorama” po publikon sot në
speciale. Kokalari është lindur në Gjirokastër në vitin 1924, ka mbaruar
arsmin e lartë për jurisprudencë dhe ka ushtruar profesionin e avokati dhe
arsimtarit. Ka luftuar për çlirimin e atdheut nga okupatorët dhe është autor
i mjaft librave dhe artikujve të botuar brenda dhe jashtë vendit. Është
marrë kryesisht me studime historike dhe ka shkruar për historinë që nga
lashtësia dhe deri në ditët tona, duke u mbështetur në materiale arkivore,
bibliografike, folklorike dhe arkeologjike. Kokalari është mbledhës i vjetër
i folklorit dhe themelues i lëvizjes kombëtare për bashkimin e shqiptarëve.
Aktualisht jeton në Tiranë dhe nëpërmjet studimeve të tij kërkon të hedh
dritë mbi historinë e popullit tonë, të cilën armiqtë e kombit mundohen ta
mohojnë. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që në
krijimin e saj. Studimi për Buonapartin është njëri prej më interesantëve.
Ai zbulon një pjesë të panjohur për shqiptarët nga jeta e perandorit më të
famshëm në të gjitha kohërat.
Për ne, shqiptarët, nuk ka rëndësi sa qëndron në këmbë teza e qenies me
origjinë arbëreshe të familjes Bonaparti. Për ne, ka rëndësi konsiderata që
kanë të huajt për të shfaqur heronjtë e tyre me origjinë shqiptare. E kemi
për detyrë që këtë ”konsideratë të mirë” ta mbajmë.
Kjo për ne meriton përgëzim. Në studime e punime të ndryshme me vlerë
historike ose në relacione e kronika ngjarjesh, historianë të huaj dhe
personalitete politike e shoqërore, kanë dhënë gjatë shekujve mendime të
shumta për popullin tonë, për shpirtin liridashës dhe atdhetar të tij. Në
këta autorë rreshtohet edhe personaliteti i shquar i kohës, historiani i
dëgjuar francez Adolf Thieres, që ka shkruar dhe historinë e revolucionit
francez dhe që më vonë u bë President i Francës.
Prejardhja arbëreshe
Në kujtimet e tij, që pasqyrohen në librin e Ahmet Myfitit bej Libohovës,
”Tependli Ali Pasha” botuar në Kajro, më 1903, Adolf Thieres shkruan: ”Kur
Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleon Bonapartit u bë mbret i Napolit më
1806, shqiptarë të Napolit që shkuan për t’i uruar mirëseardhjen u tha:
”Edhe familja Bonaparti është me origjinë arbëreshe”.
Ahmet Myfit Libohova, në veprën e tij lidhur me këto shpjegime të Adolf
Thiersit shton: ”Sipas hetimeve të bëra del se është e vërtetë që mbiemri
Kallomeri që do të thotë në greqisht ”anë e mirë”, që u ndërrua në italisht
”buona parte” është mbiemri i Napoleon Bonapartit. Kjo familje shqiptare me
shumë atdhetarë të tjerë u vendosën në Korsikë, formuan një fshat dhe
gjithashtu është fakt se paraardhësi i Napoleon Bonapartit është prej këtij
fshati arbëresh”. Këto shpjegime i jep në librin e tij Libohova. Mbi
origjinën e familjes Bonaparti na hedh dritë të mjaftueshme dhe profesor
Robert d’Angely me origjinë nga Korsika në veprën e tij ”Enigmat e origjinës
së racave dhe të gjuhëve të pellazgëve, arianëve, helenëve, etruskëve,
grekëve dhe shqiptarëve”. Libër prej shtatë vëllimesh dhe mbi 30 vjet punë.
Në faqen 113-117 shkruan se Napoleon Bonaparti ishte shqiptar, ashtu si
ishte Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu. Ky profesor i dëgjuar korsikan shton
se mbiemrin i vjetër i Bonapartit ka qenë ”Kalë-miri” dhe jo Kalimeros, ana
e mirë si e bënë grekët. Sipas enciklopedisë së madhe greke ”Piros” vëllimi
i tretë, Athinë 1929, faqe 413-425, thuhet se: Shtrirja e shqiptarëve në
drejtim të peloponezit (Moresë) është zgjeruar nga shekulli XIV.
Enciklopedia greke
Sipas kësaj enciklopedie, në Peloponez u krijuan krahina banimi të reja si:
Mani, Bardhunja, Lala; Filati, Hekali, Lopësi. Edhe sot dihet që një lagje e
Himarës është shpërngulur në krahinën e Pelopenezit dhe krijuan Manin.
Shqiptarët qëndruan në Peloponez (në more) midis 100 vjet rreth vendasve
grekë dhe nuk duhet të na duket çudi në qoftë se mbiemri i Napoleonit
(Kalë-mirë) është grekëzuar shtrembërisht nga grekët në kallomeros (ana e
mirë). Bëni dhe krahasimin që i bëjnë grekët kalit të Lekës së Madh që e
quajtën Kokëmadh. Me zbritjen e vazhdueshme të ushtrive të panumërta osmane
në Peloponez, një pjesë e shqiptarëve u largua nëpërmjet detit drejt Italisë
së Jugut. Ata u shpërndanë dhe në ishujt e saj arritën deri në Korsikë, ku u
përzjenë me banorët e lashtë italianë. Atje ndërtuan dhe vendbanimet e tyre.
Nuk duhet të duket çudi në qoftë se stërgjyshi i Napoleon Bonapartit (sipas
shpjegimeve që i jep ish-presidenti francez, Adolf Thiers) të jetë me
origjinë nga ky fshat arbëresh i Korsikës. Dihet historikisht se edhe
avokati i dëgjuar korsikan, mbrojtës i Gjergj Dimitrovit, në gjyqin e
Laipcigut, De Moro Xhaferi ka qenë nga ky katund arbëresh. Kjo faktohet nga
vetë goja e tij kur iu përgjigj jurisë franceze: ”Unë do të shkoj në Laipcig
dhe do të mbroj Gjergj Dimitrovin. Në qoftë se do të më vrasin, haka do të
më merret si arbëresh që jam me origjinë”. Studiuesi, zoti Auron Tare,
shpjegon: në vijim ta artikullit ”ish-presidenti i Francës, Adolf Thiers:
”Napoleon Buonaparti është arbëresh” të shkruara nga zoti Mexhit Kokalari do
të doja të shtoja disa fakte mjaft interesante, të cilat i japin nuanca
prejardhjes së një prej kolosëve të historisë botërore, gjeneralit
Buonaparte. Prejardhjes e familjes Buonaparte nga krahina e Peloponezit të
Greqisë dhe më saktë nga zona malore e Manit, e banuar kryesisht nga familje
arbëreshe të shpërngulura nga zonat shqiptare me ardhjen e turqve është
përmendur nga disa personalitete të letrave të kulturës franceze. Por,
dëshmia më interesante vjen nga një aristokrate franceze me origjinë
maniote, dukesha D’Abrantes, lindur në Montpelje me emrin Josephine Permon
Stefanopuli de Comene. Ajo vinte nga një familje me origjinë maniote, e cila
për shkak të gjakmarrjeve të shumta me klanet e fuqishme të Manit, vendosi
të shpërngulej dhe të vendosej në Korsikë, ashtu si shumë familje të tjera
nga Mani, 150 vjet para periudhës së Napoleonit. Dukesha D’Abrantes e njihte
mjaft mirë gjeneralin Buonaparte. Ajo bënte pjesë në rrethin e ngushtë të
tij, jo pse ishte martuar me një nga gjeneralët më besnikë të Napoleonit,
Junotin, por edhe sepse e ëma e saj kishte qenë një kohë të gjatë e dashura
e Buonapartit dhe e kishte ndihmuar atë në kohë të vështira të sundimit të
tij në Paris. Dukesha D’Abrantes, e cila më vonë u bë një mbështetëse e
flaktë e rojalistëve, ishte ndoshta burimi më i informuar për jetën e
gjeneralit në atë kohë, në kujtimet e saj të përmbledhura në 28 volume, me
titull ”Revolucioni, Perandoria dhe restaurimi”, ajo formuloi teorinë e
pranuar nga historianët e kohës të prejardhjes korsikano-maniote të familjes
Buonaparte. Ishte ajo, e cila deklaroi se mbiemri Buonaparte ishte një
italianizim i fjalës greke kalimeros dhe se Buonaparte nuk ishte nga
Trevizo, por nga Mani. Gjithashtu, ajo përmend një fakt tjetër mjaft
interesant. Gjatë fushatës së Italisë, gjenerali papritmas vizitohet nga dy
të dërguar nga beu i Manit. Ky i fundit, duke i kujtuar Napoleonit
prejardhjen e tij, i lutej për ndihmë, duke i ofruar gjeneralit mbështetje
të plotë të trevës së Peloponezit, në rast të një sulmi francez në Greqi
kundër turqve. Napoleoni, i cili në atë kohë seriozisht po mendonte për një
sulm kundër Perandorisë Otomane në Evropë, ndihma e sundimtarit të së vetmes
zonë të lirë në Greqi, ishte mjaft joshëse. Një lidhje ideale midis Francës
dhe Manit. Kështu, i shtyrë dhe nga sentimentalizmi për origjinën e familjes
së tij, në 12 termidor të vitit V, ai dha urdhër nga kuarteri i tij në
Milano, që Dimo Stephanopuli dhe vëllai i tij, Nikola, të udhëtonin për në
Mani. Të dy vëllezërit Stephanopuli u pritën me mjaft bujë nga Zanet Beu,
Beu i Manit, dhe udhëheqësit e tjerë maniotë. Ata qëndruan për disa muaj në
këtë krahinë kryengritëse, duke marrë pjesë edhe në një betëjë detare kundër
flotës së Kapidan Pashës. Vëllezërit Stephanopulis, gjatë kthimit të tyre në
Francë, i sollën gjeneralit besimin e Beut të Manit për besnikëri dhe një
statujë antike, dhuratë nga Zanet Beu, por, gjatë mungesës së tyre,
Napoleoni e kishte ndryshuar politikën rreth çështjes turke. Kështu u mbyll
kapitulli interesant i gjeneralit me Manin. Këto dy fakte interesante, që
flasin për lidhjet e Napoleonit me Manin, janë përforcuese. Dukesha
D´Abrantes është burim i sugurtë, po të marrim parasysh që tezat e saj ishin
pranuar nga historianët e kohës. Gjithashtu, fakt tjetër është që, derisa
ishte gjallë gjenerali, nuk e përgënjeshtroi tezën e dukeshës për origjinën
e tij, mund të ketë qenë nga zona malore e Manit.
Shqipja dhe Napoleoni
Në qoftë se pranohen shpjegimet e personalitetit të shquar politikan dhe
historian francez Adolf Thiers, lind pyehtja: Napoleon Bonaparti, a e njihte
gjuhen shqipe. Këtë nuk mund ta themi, pasi nuk kemi dokumente. Sipas
profesorit linguist të shquar Eqerem Çabej: Një nga gjeneralët më besnikë të
Napoleon Bonapartit, ka qenë edhe mareshalli Ney; gjeneral me trup të lartë,
që në gjatësi ia kalonte shumë Napoleonit. Thuhet, se kur e qortonte
Napoleoni Ney-n do t´ja shkurtonte ndryshimin që kishte në trup me të. Këto
fjalë, ai i shoqëronte dhe me disa sharje të një gjuhe të huaj, që mareshal
Ney dhe shokët nuk e kuptonin. Cila ishte kjo gjuhë? Për përgjigjen e kësaj
pyetje mund t´i referoheni edhe veprës së Leo Freundrich, “Gologota
Shqiptare”, në faqen 37. Edhe një tjetër pyetje e bren kureshtjen tonë. A e
njihte Napoleon Bonaparti historinë e Shqipërisë? Edhe kjo mbetet enigmë për
mungesë të dokumenteve. Megjithëse në hartat topografike, ushtarake të tij,
trevat tokësore që shtriheshin qysh nga Sllovenia deri në Detin Jon, i
kishte quajtur “Iliri”. Është fakt, që edhe sot në Slloveni, duke u nisur
nga ky emërtim i tokave të tyre, sllovenët, mjaft hotele dhe rrugë i kanë
emërtuar me fjalën “Iliri”, si në Lubjanë etj. Logjike është të pyetet se a
e njihte Napoleon Bonaparti se shqiptarët kishin zakone të përbashkëta me
korsikanët? Këtë nuk mund ta thuash me siguri, megjithatë ka argumente që
vijnë në këtë linjë. Nga të dhënat e mbledhura, thuhet se ky perandor i
lindur në Korsikë, konkretisht në Ajaccio, e ka ditur se shqiptarët dhe
korsikanët kanë zakone të përbashkëta në lidhje me besën, hakmarrjen,
mikëpritjen etj.
Buonaparti: Ruhuni nga Ali Pashai
Po të kujtojmë “Vendetta” Balzak-Mateo Falkoni-Prosper Merime, apo dhe
filmin “Barbaxhia” vërtetohen këto që themi. Njëkohësisht për të mbrojtur
përfaqësuesit e tij, si Pukëvillin e të tjerë, në shtetin autonom të
pashallëkut shqiptar të Janinës së Ali Pashë Tepelenës, nuk ishin të rastit
këshillimet e vazhdueshme që Napoleon Bonaparti i jepte konsullit të vet që
të ruhej nga dinakëritë e Aliut, duke i thënë: “Ruaju në qoftë se nuk ta ka
hedhur”. Si shpjegohen masakrat që kanë kryer forcat franceze në Egjipt, ku
midis të masakruarëve ka pasur edhe shqiptarë? Sipas shpjegimeve të profesor
Petraq Pepo, historian i njohur, lidhur me ekspeditën e ushtarakëve të
Napoleonit në Egjipt, mësohet se ushtarët francezë kanë zhvilluar luftime të
përgjakshme me vendasit, sidomos në Tabor, gjatë pranverës së vitit 1799.
Gjithashtu, beteja të përgjakshme janë zhvilluar edhe në ujërat territoriale
të Egjiptit, si për shembull në afërsi të Abukirit etj. Atje, forcat detare
franceze, të komanduara nga admirali Brueys, u ndeshën rreptazi me forcat
detare angleze të komanduara nga admirali i dëgjuar Orcio Nelson. Në të
gjitha këto luftime detare u vra dhe admirali francez Brueys. Edhe në
luftimet tokësore, francezët pësuan humbje të mëdha në ushtarë, sepse nuk
ishin mësuar me terrene të tilla afrikane. Atje u vra edhe gjenerali i
dalluar Kleber. Forcat ushtarake frenceze, të egërsuara, me në krye
gjeneralin Andreossi, kërkonin me këmbëngulje të arrinin fitoren, duke mos
kursyer kështu edhe masakrat masive. Midis ushtarëve vendas për mbrojtjen e
Egjiptit, ka patur edhe mjaft luftëtarë shqiptarë. Ta vazhdonin t´i mbronin
me trimëri kështjellat që u ishin besuar. Komanda ushtarake franceze, me në
krye Andreossin, në pamundësi për t´i hedhur në dorë kështjellat me forcën e
armëve, u premtoi të rrethuarëve, luftëtarëve shqiptarë, si të huaj që ishin
se do t´i linin të lirë të largoheshin së bashku me armët e tyre, mjaft që
ata të dorëzonin kështjellat. Shqiptarët e besuan një gjë të tillë dhe dolën
kështu nga kështjellat të armatosur, por gjeneral Andreossi, i preu në besë,
i çarmatosi rrugës dhe një pjesë të mirë të tyre e pushkatoi në deltën e
Nilit. Thuhet se Napoleon Bonaparti, kur u vu në dijeni, e dënoi pabesinë e
gjeneralit të tij, dhe e përkufizonte këtë fitore me masakër me këto fjalë:
“Ushtari francez nuk është mësuar të korrë fitoren mbi kundërshtarët, duke i
mashtruar dhe çarmatosur në befasi”. Njëkohësisht, këtij gjenerali i mori
edhe medaljonin prej gurësh të çmuar që vetë ja kishte dhënë. Napoleon
Bonaparti, me gjithë marrëveshjet e ftohta që kishte me Ali Pashë Tepelenën,
më vonë u lidhën me një miqësi të ngushtë. Ky perandor i Francës, në
kundërshtim me dëshirat e Stambollit, dërgoi në Janinë konsujt e tij. Këtë
qytet e quante kryeqytetin e Shqipërisë. Napoleoni ishte nga të parët që e
kuptoi se Ali Pashë Tepelena, çdo ditë e më shumë e largonte pashallëkun e
tij nga influenca e Sulltanit, duke e kthyer atë në një shtet autonom
shqiptar. Aliu, sytë ia kishte drejtuar Evropës. Ai pranoi të zbatohet në
shtetin e tij legjislacioni frëng, i barazimit, ku myslimanët të kishin të
drejta të barabarta me të krishterët. Franca dërgoi tek Ali Pasha
specialistë për organizimin e shtetit dhe të ushtrisë, e cila u zgjerua në
kohë lufte deri në pesëdhjetëmijë ushtarë. Napoleoni në Janinë ngriti
fonderi për derdhje topash të çdo kalibri, armë të ndryshme si dhe punishte
për prodhim baruti. Franca e pajisi Aliun me anije lufte, organizoi mjetet e
komunikacionit dhe rendin me organizatorë të tij. Në pashallëkun e Janinës
kudo u vendos qetësia. Lidhur me miqësinë familjare që ka patur Napoleon
Bonaparti me atë të Ali Pashë Tepelenës, përveç të dhënave gojore, na
konkretizohen dhe me orenditë shtëpiake që kemi gjetur në banesën e Myfit
Bej Libohovës, konkretisht një servis çaji dhe kafeje, servis blu me gërmën
iniciale “N” të Napoleon Bonapartit, si dhe dy piktura me bojë vaji të Ali
Pashë Tepelenës me sy bojëqelli të piktorëve të njohur francezë, si Dypre
etj. Këto të dhëna të Napoleon Bonapartit, i ishin dhuruar Ali Pashë
Tepelenës dhe e motra e tij, Shanishaja, këto dhurata ja ka dhuruar gjyshit
të Myfit Bej Libohovës, Sulejman Pashës, me të cilin ishte martuar. Madje
edhe varri i motrës së Ali Pashës, Shanishasë, ndodhet në Libohovë.